Sot janë bërë 10 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka shpallur të pafajshëm Ramush Haradinajn.
Haradinaj thotë se sot është një datë e rëndësishme për të duke falënderuar të gjithë ata që nuk humbën besimin në të dhe në pafajësinë e tij, raporton Indeksonline.
Njoftimi i plotë:
Të dashur qytetarë, sot për mua është një datë e rëndësishme, është përvjetori i lirisë sime, por edhe i vulosjes së pastërtisë së luftës sonë çlirimtare.
Edhe pse çlirimtar, luftëtar për liri në tokën time, më 17 nëntor 2004 jam ftuar për herë të parë për intervistim nga Gjykata e Hagës. Që nga ajo ditë e deri më 29 nëntor 2012 ka zgjatur ndjekja ligjore ndaj meje. Edhe pse në aktgjykimin e parë jam liruar si i pafajshëm, pas disa viteve jam ftuar për herë të dytë në rigjykim.
Përfundimisht, sot para 10 viteve, mora aktvendimin e pafajësisë. Lufta për pafajësinë time zgjati po aq sa zgjati lufta për liri.
Falënderoj gjithë ata që nuk humbën besimin në mua dhe në pafajësinë time, e mu gjenden pranë në të gjitha mënyrat!