Mobiliet, tavolinat e karriget janë produktet që Zyra e Kryeministrit planifikon t’i ndërrojë. Për këto blerje, janë ndarë afro 10 mijë euro, derisa janë dhënë edhe specifike për modelin e materialet e tyre.
Hapësirat e Kryeministrisë i shfrytëzon tash e dy vite.
Por me disa ndryshime po planifikohet të fillojë viti i tretë i qeverisjes Kurti.
Mobilie, tavolinë e karrige, janë blerjet e reja për të cilat Zyra e Kryeministrit ka hapur tender.
Madje, lloji i tyre është i përcaktuar edhe me dimensione e material.
“Furnizimi me mobile (set ulësesh 3+2+1, tavolinë dhe karrige lëkure). Materiali:Shtof ngjyrë hiri / lëkurë industriale; Këmbët: metalike chrome. Tavolinë ndihmëse: Materiali:Furnir bungu, ngjyrë e zezë. Kërrigë lëvizëse mekanizimi i sinkronizuar”, thuhet në shpalljen e tenderit.
Për këto blerje, si të rëndësishme janë vlerësuar edhe modelet e produkteve, me të cilat janë kushtëzuar edhe ofertat.
Me fotografi është ilustruar edhe modeli i tavolinës dhe karriges që kryeministria dëshiron t’i blejë.
Specifikimet teknike duhet të përpilohen në mënyrë që të përputhen me qëllimin e prokurimit dhe të ofrojnë qasje sa më të madhe te operatorët ekonomik të interesuar. Mallrat janë prezantuar me foto dhe mundësisht të jenë me pamje të njëjtë ose ekuivalente.
Afro 10 mijë euro janë ndarë për blerjen e këtyre mobilieve. /Teve1/