Ekonomi

1.3 milion vende të lira pune, Gjermania lehtëson marrjen e vizës

Gjermania do të miratojë një ligj të ri në fillim të vitit të ardhshëm që duhet të lehtësojë marrjen e punëtorëve të kualifikuar nga nga jashtë Bashkimit Evropian, njoftoi të Shtunën Kancelarja gjermane Angela Merkel, duke paralajmëruar nevojën “e dëshpëruar” të ekonomisë gjermane për punëtorë.
Ligji i emigracionit të punës do të hyjë në fuqi më 1 mars 2020 dhe synon të hapë rrugën për punëtorët jashtë BE-së që të vijnë dhe qëndrojnë në Gjermani.

Sipas vlerësimeve të fundit, aktualisht ekzistojnë 1.3 milion vende të lira pune në Gjermani.

Më shumë se dy milion qytetarë, nga një prej vendeve të BE-së, punojnë në shtetin më të fortë ekonomikisht të BE-së.

“Por kjo nuk është e mjaftueshme dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të kërkojmë punëtorë të kualifikuar nga jashtë BE. Pa ekspertë të mjaftueshëm, asnjë ekonomi nuk mund të mbijetojë,” paralajmëroi Merkel në një video mesazh të rregullt sot, të cilin ajo ja përkushtoi plotësisht këtij ligji.

Ajo vuri në dukje se nevoja për ekspertë nga jashtë vlen jo vetëm për punëtorët me arsim akademik, por edhe për profesionet profesionale.

“Ne aktualisht kemi një numër zejtarësh dhe biznesesh në kërkim të dëshpëruar për një forcë pune të kualifikuar. Nëse politikanët nuk kujdesen për ekspertë të mjaftueshëm, kompanitë dhe sipërmarrësit do të largohen nga Gjermania, që është diçka që ne nuk duam”, paralajmëroi ajo.

Për të përmbushur nevojat e ekonomisë me ekspertë, qeveria po përdor tre strategji.

E para ka të bëjë me shfrytëzimin e plotë të kapacitetit të tregut të brendshëm të punës, e dyta me rritjen e importit të ekspertëve të BE-së dhe të tretën me migrimin e kualifikuar nga jashtë Bashkimi Evropian.

Të hënën do të mbahet një takim i jashtëzakonshëm, në të cilin përfaqësuesit e qeverisë, sindikatat dhe punëdhënësit duhet të bien dakord se si të tërheqin sa më shumë ekspertë nga jashtë BE-së, sipas ligjit të ri.

Ligji për punësimin e punëtorëve profesionistë parasheh gjithashtu emigracionin me qëllim të arsimit profesional në Gjermani.

Merkel ka njoftuar lëshimin e përshpejtuar të vizave të punës për profesionistët që kualifikohen për migrim.

Në Gjermani, që nga fillimi i vitit 2016, është në fuqi e ashtuquajtura Rregulla e Emigracionit nga Ballkani Perëndimor, e cila nuk është e kufizuar vetëm për punëtorë të kualifikuar, por edhe për punëtorë të pakualifikuar.

Praktika e deritanishme ka treguar se problemi më i madh është lëshimi i vizave të punës, pasi për terminet në ambasadat gjermane në vende si Kosova, Serbia ose Bosnja dhe Hercegovina duhet të pritet më shumë se një vit.