Botë

1.3 miliard dollarë padi, ‘Dominion’ hedh në gjyq Rudy Giulianin

Kompania amerikane e numërimit automatik të votave ka ngritur një padi prej 1.3 miliard dollarësh kundër avokatit të ish-Presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani.

Dokumentat e paraqitura në gjykatë tregojnë se kompania Dominion e akuzon Guliuanin për shpifje mbi manipulime të shumta në zgjedhjet presidenciale. Kompania Dominion me bazë në Denver, e kishte ngritur më parë një proces gjyqësor kundër avokates së fushatës së ish-Presidentit Trump, Sidney Powell, të cilën kompania e akuzoi gjithashtu për përhapjen e teorive të rreme të konspiracionit në lidhje me zgjedhjet ku ish-presidenti Donald Trumpi humbi ndaj demokratit Joe Biden.

Edhe një punonjës i kompanisë Dominion, Eric Coomer, paraqiti një padi për shpifje kundër fushatës së ish Presidentit Trump, duke thënë se ai ishte detyruar të fshihej për shkak të kërcënimeve me vdekje që kishte marrë nga mbështetësit e Trump. Zoti Giuliani dhe avokati i tij, Robert Costello, nuk iu përgjigjën kërkesave për komente. Giuliani vazhdoi të këmbëngulte tek pretendimet e tij në lidhje me zgjedhjet, duke thënë javën e kaluar gjatë një emisioni në radio se ai po sulmohet për “ushtrimin e të drejtës së fjalës së lirë dhe mbrojtjen e klientit” të tij.  Trump dhe aleatët e tij mohuan për më shumë se dy muaj humbjen e tij në zgjedhje dhe pretenduan pa prova se ajo ishte rezultat i mashtrimit të gjerë të votave, para se mbështetësit e tij të sulmonin Kapitolin më 6 janar.